Fashion Group - Carpisa
Fashion & Stylish Lady - Fan Page

Metodat kontraceptive, ja çfarë duhet ditur

Kontraceptivët femërore dhe mashkullorë përbëjnë një gamë të gjerë masash që merren në kuadër të planifikimit familjar. Ata janë të shumëllojshëm, ndaj personi i interesuar duhet të zgjedhë në bazë të pluseve dhe minuseve që sjell përdorimi i secilit prej tyre.

Metodat kontraceptive, ja çfarë duhet ditur

Para se t’i drejtohemi mjekut për një këshillë të specializuar, ja informacioni bazë që duhet të kemi mbi secilën metodë.

Pilula kontraceptive
Pilula futet në kategorinë e kontraceptivëve hormonalë. Pra, ato janë hormone femërore të cilat ndërpresin ovulacionin dhe shmangin fekondimin. Pilula përmban estrogjen dhe progresteron. Marrja e pilulës pengon maturimin e vezës dhe modifikon mukusin e qafës së mitrës, duke e bërë barrierë për spermatozoidet.

Pilula duhet marrë çdo ditë, rregullisht në të njëjtën orë. Nëse paketimi përmban 21 kokrra, trajtimi duhet ndërprerë për 7 ditë, për t’u rifilluar sërish nëse gjatë kësaj kohe nuk ka ardhur cikli menstrual.

Efikasiteti i pilulës është shumë i lartë në krahasim me metodat e tjera. Ajo respekton ekuilibrin hormonal të femrës dhe nuk ka efekte anësore afatgjata.

 Diafragma
Ajo është një lloj kupole në formë rrethi me një unazë metali, e cila vendoset në vaginë. Ekzistojnë rreth 20 lloje diafragmash, të cilat përshtaten me përmasën e vaginës. Për të zgjedhur atë që ju duhet, duhet t’i drejtoheni mjekut gjinekolog.

Përdorimi i diafragmës dhe njëkohësisht një kremi spermicid bllokon me sukses kalimin e spermatozoideve në mitër. Diafragma garanton një efektshmëri në shkallën 95 për qind dhe mund të zgjasë deri në 1 vit pas vendosjes. Duhet pasur parasysh se nuk mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Spiralja
Spiralja është një pajisje që mund të ketë disa forma. Ajo vendoset në mitër, ku mund të kryejë funksionin e vet për disa vjet. Spiralet ndryshojnë në forma dhe madhësi, ndaj duhet t’i drejtoheni gjinekologut për të përcaktuar atë më të përshtatshmen.

Efekti kontraceptiv i spirales i detyrohet ndalimit të fekondimit. Ekziston gjithashtu edhe një tjetër lloj spiraleje, e cila përmban progresteron. Ajo lëshon sasi të vogla të këtij hormoni, duke penguar në këtë mënyrë fekondimin. Ky lloj siguron një efektshmëri në masën 99.9 për qind.

 Unaza vaginale
Efikase në 92 për qind të rasteve, ky mekanizëm e bazon funksionimin e tij në bllokimin e ovulacionit. Funksionon njësoj si pilula pasi përmban sasi të vogla hormonesh femërore, të cilat i lëshon gradualisht në gjak. Unaza vaginale është material që përshtatet me trupin e femrës dhe kontribuon në ndryshimin e përbërjes së mukusit cervikal, duke i bërë spermatozoidët të padëshirueshëm aty.

Nuk ndihet gjatë raportit seksual dhe përdoret lehtë. Vendoset me dorë në vaginë dhe hiqet lehtë. Vendoset në vaginë ditën e pestë të ciklit dhe përdoret për tre javë me radhë, e alternuar me javën e ciklit menstrual. Pas heqjes gjatë ditëve të menstruacioneve, duhet vendosur një unazë e re.

Për të pasur një mbrojtje të plotë nga shtatzënia e padëshiruar, përdorimi i unazës duhet të bazohet në një llogaritje të saktë të ditëve të ciklit. Unaza vaginale mbron nga shtatzënia e padëshiruar, por nuk ka efekt mbrojtës ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.

 Ngjitësi kontraceptiv
Është një pajisje farmaceutike për femrat në moshë fertile. Ai ka në përbërje një kombinim të progresteronit me estrogjenin dhe aplikohet në lëkurë të thatë e të pastër, p.sh. në bark, në pjesën e sipërme të parakrahut, në fundshpinë etj. Lëshimi i substancave nga produkti ndalon ovulacionin stimulon trashjen e mukusit vagina. Efektshmëria është 99 për qind, por te gratë me peshë mbi 90 kg mund të zbresë deri në 92 për qind.

 Prezervativi
Është mbrojtësi më i përdorur nga meshkujt. Siguron mbrojtje në 98 për qind të rasteve nga shtatzënia e padëshiruar dhe nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Është në trajtë këllëfi plastik që vendoset mbi organin mashkullor para raportit seksual. Në këtë mënyrë, për spermatozoidet bëhet i pamundur kalimi në mitër. Nuk ka asnjë efekt anësor. Personat që janë alergjikë ndaj materialit, duhet të kërkojnë në farmaci prezervativë me përbërje poliuretani.

Metodat natyrore
Këto metoda bazohen në abstinencën periodike (moskryerjen e raporteve seksuale) në bazë të ditëve fertile dhe jofertile. Periudhat llogariten në bazë të faktorëve të ndryshëm si p.sh. fekondimi i limituar i gameteve, siguria e një ovulacioni të vetëm gjatë ciklit dhe përcaktimi i datës së saktë të tij. Por pikërisht ky përcaktim shpeshherë çon në dështimin e kësaj metode, e cila për më tepër nuk garanton asnjë mbrojtje nga infeksionet seksuale.

Burimi: Shendet Plus

© Copyright Lady Albania 2012 - 2015 Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopjimi apo ripublikimi i pa autorizuar i materialeve nga ladyalbania.al është i ndaluar.
Created by E-Key Studio