-->

Ejdi në botën e trëndafilave

Ejdi në botën e trëndafilave - Revista Lady Albania

Ejdi Braho është një vajzë e re, e cila ka një pasion shumë të veçantë. Ajo krijon trëndafila artistikë prej letre dhe jo vetëm, duke kthyer në vepër të vërtetë arti çdo dekor të përbërë prej materialit të letrës. Ajo ka themeluar kompaninë e saj “Backdrop Flowers Albania” dhe vetëm brenda një viti  ka realizuar punime të shumta dekorative mbresëlënëse për evente të ndryshme. Ejdi, përveç se artiste, është njëkohësisht edhe juriste dhe ja del mban shumë mirë mes këtyre dy profesioneve.

Ejdi në botën e trëndafilave
Në foto: Ejdi Braho, Themeluese e Backdrop Flowers Albania

Në një intervistë ekskluzive për Lady Albania, po ju sjellim Ejdin  në botën e trëndafilave prej “letre”, e rrethuar nga e bukura, eleganca, brishtësia dhe finesa, por edhe nga aroma e guximit, ashtu siç janë edhe vet lulet e krijuara nga dora e saj...

Ejdi, na rrëfeni pak për veten tuaj si dhe për pasionin tuaj për krijimin e trëndafilave artistikë prej letre. Kur dhe si ju lindi ky pasion i veçantë dhe kur filloi ai të kthehej në një profesion?

Përshëndetje! Une quhem Ejdi Braho, kam lindur në qytetin e bukur dhe bregdetar të Vlorës por pjesën më të madhe të fëmijërisë time, deri në moshën 16 vjeçare e kam kaluar në Athinë së bashku me prindërit e mi. Më pas jam kthyer sërish në vendlindje ku ndoqa edhe studimet e  Shkollës së mesme.  Më pas vazhdova studimet e larta për drejtësi në Tiranë dhe sot zotëroj titullin e Avokatit.

Ndërsa pasioni për artin dhe për krijimin e trëndafilave prej letre  ka lindur shumë natyrshëm, në një ditë teksa isha duke mbledhur në zyrë disa letra të vogla të cilat ishin për t’u hedhur poshtë. Duke i rrotulluar ato, vura re se u krijua spontanisht një trëndafil i vogël dhe shumë i bukur, të cilin më pas tentova ta bëj më të madh deri sa u krijua një trëndafil “gjigand” i hapur.

Pasi konstatova këtë talent, fillova të kërkoj në internet në lidhje me punimet e trëndafilave prej letre dhe kuptova se ky pasion që sapo kisha zbuluar përbënte një profesion të vërtetë. E entuziazmuar  j’ua prezantova familjarëve vendimin tim për t’u marrë me trëndafilat prej letre. Ata fillimisht u habitën por më mbështetën dhe u entuziazmuan së bashku me mua. Me kalimin e kohës, por dhe me shumë punë e përkushtim, arritëm aty ku jemi sot.

Ejdi në botën e trëndafilave
Në foto: Punime të Backdrop Flowers Albania për një event Baby Shower në Tiranë

Përveç punës artistike, ju njëkohësisht punoni edhe si juriste? Si ja dilni ti menaxhoni këto 2 profesione krejt të ndryshme nga njëra-tjetra dhe sa kohë i dedikoni secilit?

Unë jam një person i ndjeshëm dhe njëkohësisht shumë e dhënë pas drejtësisë, prandaj kam ëndërruar që e vogël të bëhesha juriste apo avokate, gjë që u realizua dhe për të cilën jam e lumtur. Profesioni i juristes më merr një pjesë shumë të madhe të kohës  dhe për të menaxhuar sa më mirë të dyja profesionet më duhet të punoj me orë të zgjatura si ditën ashtu edhe natën.

Por momentalisht pak më tepër kohë më merr menaxhimi i “Backdrop Flowers Albania” pasi pritshmëria e klientëve është më e lartë se parashikimet tona dhe nga ana tjetër afatet e dorëzimit të porosive janë shumë të afërta me njëra-tjetrën. Por mendoj se pasioni për të dyja profesionet e mia, më ndihmon t’ia dal mbanë e ti përballoj të dyja.

Në çfarë moshe keni krijuar trëndafilin tuaj të parë?

Trëndafilin tim të parë prej letre e kam krijuar para 1 viti me eskperimentin tim spontan në zyrë siç rrëfeva më sipër.

Kujt ja keni dhuruar trëndafilin tuaj të parë?

Trëndafilin tim të parë vazhdoj ta mbaj ende në zyrë dhe për herë të parë atë e ka mbajtur në dorë djali im Ijon.

Përveç trëndafilave, a merreni edhe me dekore të tjera të punës me letër?

Po, ne krijojmë çdo gjë prej letre, duke filluar nga trëndafilat e vegjël me letër crepe, tek fluturat, headpiece, krahë engjelli, ftesa, kuti kompozimi  e shumë punime të tjera.

Ejdi në botën e trëndafilave
Në foto: Punime të Backdrop Flowers Albania “ Mushrooms Sagave Bora kokedhima & Endrit Mertiri”

A ka qënë e vështirë fillimisht për ju  të prezantonit punimet e para dhe si është pritur kjo nga familja dhe miqtë tuaj?

E vështirë ka qënë vetëm ndrojtja që ndjeva në fillim për t’ju prezantuar famijlarëve idenë time pasi nuk e dija se si do ta prisnin. Por unë kam fatin që rrethohem nga njerëz të mrekullueshëm, të cilët deri më sot më kanë suportuar dhe frymëzuar në çdo hap dhe i falenderoj tej mase.

Si lindi ideja të krijonit Kompaninë tuaj me emrin Backdrop Flowers Albania?

Backdrop do të thotë SFOND dhe qëllimi im është që të krijoj pa fund sfonde të  ndryshme të mbuluar nga trëndafila ose çdo lloj modeli tjetër luleje! Ndërsa emri Backdrop Flowers Albania është menduar për të theksuar bukuritë dhe kreativitetin që sjellin artistët nga Shqipëria.

Ju tashmë organizoni dekore për evente të ndryshme si edhe për personazhe VIP në Shqipëri. Bazuar në eksperiencën tuaj, çfarë lloj punimesh preferojnë klientët më tepër dhe për çfarë rastesh/eventimentesh?

Backdrop Flowers Albania  të gjithë klientet i respekton dhe i trajton njësoj si në cilesi,  ashtu edhe në vlerë, për ne rëndesi ka që puna jonë të prezantohet sa me pastër dhe bukur! Klientët Vip në përgjithësi kërkojnë një sasi të konsiderueshme dekorimesh për eventet e tyre si psh: Baby shower, Wedding shower, Sete fotografsih, Suprizë party etj. Një pjesë prej tyre kërkojnë shumë edhe “Headpiece” të cilat  i përdorin në videoklipe ose për dajle të veçanta skenike,  ndërsa klientet të cilët kanë kompani eventesh kërkojnë zakonisht backdrops për dasma, ditëlindje dhe evente të ndyshme. Ne gjithashtu dekorojmë edhe ambjente private, lokale ose vitrina të dyqaneve të njohura.

Ejdi në botën e trëndafilave
Në foto: Punime të Backdrop Flowers Albania për arredimin e një dyqani në Tiranë

Si e mendoni të ardhmen e kësaj iniciative dhe pasioni që keni? A mendoni se së afërmi do të mund ti përkushtoheni vetëm pasionit tuaj, duke hequr dorë nga profesioni i juristes?

Unë kam investuar shumë për profesionin si juriste dhe jam duke punuar fort për të hapur një zyrë avokatie në të ardhmen. Gjithashtu edhe pasionin që kam për krijimin e luleve prej letre nuk mund ta lë kurrsesi në plan të dytë dhe planifikoj ta zgjeroj, gjë e cila mund të arrihet me përkushtimin e të gjithë grupit dhe stafit të Backdrop Flowers Albania.

Ejdi në botën e trëndafilave
Në foto: Punime dekorative të Backdrop Flowers Albania për evente

Çfarë ju frymëzon më tepër gjatë punës tuaj dhe kujt ja dedikoni suksesin e arritur deri tani?

Frymëzimi im kryesor është djali im Ijon, dhe sapo shoh buzëqeshjen e tij përmes një fototje të cilën e mbaj gjithnjë mbi tavolinën time të zyrës, marr lapsin dhe filloj të  skicoj modelet e reja.

Suksesin që ka Backdrop Flowers Albania ja dedikoj të gjithë familjarëve të mi, miqve, stafit, por kryesisht bashkëshortit tim i cili nuk lodhet asnjëherë pavarësisht ngarkesës së punës  së Backdrop Flowers Albania, por sigurisht edhe mamit tim, pa të cilën sot kompania jonë nuk do të mund të kishte arritur të bëhej kaq e njohur brenda një periudhe  kohore kaq të shkurtër!

Dhe së fundmi shumë faleminderit Lady Albania për kohën dhe përkushtimin tuaj! Ishte një kenaqësi e veçantë!

Fotot: Backdrop Flowers Albania, Ejdi Braho.

Lamarket.al Right Banner 1 - Cante florale - Prill 2017
Lamarket.al Right Banner 2 - Pjaster profesionale me avull Gemei - Prill 2017

Çfarë ndodhi në eventin më "Italian Style" të kryeqytetit?

Tashmë qe është sezoni i verës të gjithë e kanë mendjen veçse te udhëtimet dhe sigurisht ka filluar numërimi mbrapsht i ditëve në kalendar deri sa të afrojnë të shumëpriturat pushime në destinacionet që në duam më shumë...

Shpërndaj
Lamarket.al Right Banner 1 - Cante florale - Prill 2017
Lamarket.al Right Banner 2 - Pjaster profesionale me avull Gemei - Prill 2017
Lexoni gjithashtu